Organizohet tryezë e rrumbullakët mbi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve në Ambasaden e Kosovës në Stockholm

68

Ambasada e Kosovës dhe Save the Children – Suedi, organizuan një tryezë të rrumbullakët mbi Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve.
Në qershor të këtij viti, Republika e Kosovës miratoi ligjin e ri për mbrojtjen e fëmijëve, i cili përfshin ndalimin e të gjitha formave të ndëshkimit trupor ndaj fëmijëve në të gjitha rrethanat.

Ky ligj shënon një arritje të madhe për Kosovën dhe përkon me të njëjtin vit kur Suedia shënon 40 vjetorin e po këtij ligji, si dhe 30 vjetorin e miratimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.

Në këtë tryezë të rrumbullakët u diskutuan përvojat e Kosovës dhe Suedisë, se si u zbatua ligji i përkatës në Suedi, si dhe përparësitë dhe sfidat rreth realizimit të të drejtave të fëmijëve. Për më tepër, u diskutua edhe për Shtetet e Detit Baltik dhe përvojat e tyre rreth fëmijërisë pa dhunë.

Kjo ngjarje mblodhi ekspertë të nivelit të lartë, si Avokatja e Popullit për Fëmijë në Suedi (Ombudspersoni), Udhëheqësja e Njësisë e Këshillit të Shteteve të Detit Baltik për fëmijët në rrezik, ekspertë nga Instituti Karolinska, BRIS, UNICEF, Barna Frid, SIDA dhe Save the Children Kosova.