OSMANI: KOSOVA E SHQIPËRIA TË PËRÇOJNË MESAZHIN QË RREZIKU VIJE NGA SERBIA

48

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkë me Shqipërinë, dy shtetet duhet të angazhon për ta përçuar mesazhin në rajon dhe botë që Ballkanit po i kanoset rreziku nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

Në takim me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Osmani ka kërkuar nga Shqipëria që ky shtet të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në organizatat ku Kosova nuk përfaqësohet.

Ajo ka përsëritur qëndrimin e Kosovës kundër ideve në të cilat vendi s’trajtohet në mënyrë të barabartë me të tjerët, përfshirë këtu edhe iniciativën “Ballkani i Hapur” që është iniciuar nga Shqipëria bashkë me Serbinë e Maqedoninë e Veriut.

“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonal, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar Osmani, sipas komunikatës së Presidencës.

iu referuar iniciativës Ballkani i Hapur, ajo ka theksuar se nuk mund të mbështetet symbyllur asnjë iniciativë që mund ta rivalizojë apo pengojë procesin e integrimeve në BE dhe orientimin euro-atlantik të rajonit, ku Serbia synon ta ketë rolin kryesor dhe e cila ende nuk e ka njohur Kosovën.

Më tej, Osmani ka theksuar se Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin e dialogut me Serbinë, porse nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë”, bëhet e ditur në komunikatë.

Në vigjilje të Ditës së flamurit, Osmani e ka uruar presidentin Meta dhe popullin shqiptar për 109- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka theksuar se kjo ditë i bën krenarë shqiptarët kudo që janë. Sipas Osmanit, me Shqipërinë bashkëpunimi i vendosur prej kohësh në shumë fusha do të pasohet edhe me marrëveshje të tjera. Ajo përmendi mbledhjen e dy Qeverive, e cila do të mbahet më 26 nëntor në Elbasan, në të cilën Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë 16 marrëveshje të tjera, ndër të cilat ajo për lëvizjen e lirë, shkëmbimin tregtar, fushën e arsimit, drejtësisë apo infrastrukturës.