“Pasardhësit e Skënderbeut” (Skanderbegs ättlingar) në sytë e shkrimtarit suedez Thomas Nydahl

555

Kohë më parë doli në suedisht edhe një vepër tjetër e rëndësishme për shqiptarët. Është fjala për veprën “Skanderbegs ättlingar” (Pasardhësit e Skënderbeut”) të autorit Thomas Nydahl. Me këtë botim,Nydahl e vazhdon traditën studimore suedeze mbi çështjen shqiptare. Kujtojmë me këtë rast konsideratën që kishte  akademiku Johann Erich Thunmann dyqind e tridhjetë vjet më parë për gjuhën shqipe dhe autoktoninë e shqiptarëve në Gadishullin Ilirik. Atëbotë Thunman ligjëronte në  Universitetine Hallesë në Gjermani dhe aty mbronte me bindje rezultatet e punës së vet studimore. Shumë suedezë  tjerë kanë mësuar shqipen dhe e kanë praktikuar atë, qoftë në diskurset e veta publike, qoftë në botimet e veta autoriale.

“Skanderbegs ättlingar” është një kronikë e shkruar me dashuri për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Suedi.

Vepra reflekton dashamirësi për shqiptarët. Është edhe një ligjërim i sinqertë që kritikon hapur absurditete te politikës shqiptare. 

Kjo vepër lexohet me lehtësi, përmbajtja  e saj përjetohet me kënaqësi. Habitesh kur kupton arsyet që shtynë një suedez njëzet vjeçar të dashurojë  me aq pasion një Shqipëri të vogël në perëndim të Europës Juglindore. Leximi i kësaj vepre të sqaron pse ky djalosh nordik,e pa dikur komunizmin e Shqipërisë si një alternativë të mundshme. Si ndodhi më pas që pikërisht ky model shtetëror, e kjo kastë partiake ta zhgënjejë aq shumë, sa ta detyrojë të harrojë përgjithmonë edhe Partinë e Punës edhe komunizmin e saj.

EPSON MFP image

Thomas Nydahl – veprimtaria

Nydahl është lindur në Malmö më 27 qershor të vitit 1952. Është i njohur në letërsinë suedeze si prozator, eseist, poet dhe gazetar. Ka shkruar rreth 40 vepra gjinishë të ndryshme. Në veprat e tij letrare motiv dominues është liria, shoqëruar me tema politike e filozofike. Në rininë e hershme ishte majtist, politikisht i lidhur shumë me Shqipërinë. Më vonë në një periudhë të krijimtarisë së tij është ndikuar mjaftë nga Lisbona -Portugalia. Sepse atje zhvillohej njëstil muzikor popullori njohur edhe në përmasa ndërkombëtare me emrin Fado. Fado, si orientim muzikor ishte i influencuar nga kënga popullore portugeze me motive deti e me përzierje stilesh të këngëve braziliane e afrikane. Këto krijime muzikore(Nydahl u magjeps nga ato) karakterizohen me mallin për atdhe, nostalgjinë, dhimbjen, lumturinë, fatin e dashurinë. Këndoheshin nga një burrë apo një grua dhe përcilleshin me kitarën tradicionale portugeze me tela të dyfishtë.

Nydahl ka botuar mbi pesëmbëdhjetë përmbledhje me poezi, pesë romane, gjashtë libra me ese, ditarë, disa udhëpërshkrime dheshumë studime.

Nga fundi i viteve shtatëdhjetë ka filluar të shkruajë shumë për shqiptarët- çështjen shqiptare që kishte filluar atëbotë të influenconte edhe në shtypin ndërkombëtar. Nga viti 2016 drejtoi blogun “Inre exil”. Shumë tema të blogut të tij të njohur në Suedi i rreken problematikës së ideologjisë totalitare, ekstremizmit fetar e nacional.

Shqipëria ishte në orbitën time të interesimit që nga viti 1970, kur isha njëzet vjeçar-shkruan Nydahl. Brenda viteve 70-të bënë disa vizita atje, ndërkohë që në verën e vitit 1978 Shqipëria që e deshi shumë e shpalli  nongrata. Atëbotë, i dëshpëruar por jo i dorëzuar, fillon të interesohet për pjesën tjetër të shqiptarëve në Kosovë që aso kohe ishte nën Jugosllavi. Gjatë viteve 80 – 90 -të ishte shumë aktiv me shkrime e fjalime në mbështetje të lirisë e pavarësisë së Kosovës. Nydahl njeh mirë komunitetin shqiptar në Suedi. Shqiptarët e Suedisë e njohin dhe e donë, e vlerësojnë dhe e konsiderojnë burrë të pashoq në gjithë Skandinavinë. 

Sot Thomas Nydahl jeton në Kristianstad të regjionit të Skånës. 

Vepra “Skanderbegs ättlingar” , Occident förlag 2020

Kjo vepër me nëntitullin Një kronikë për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Suedi fillon me përkushtimin e autorit drejtuar personaliteteve që inkurajuan të shkruajë. Fillon me Ullmar Qvickun që për më shumë se dyzet vjet i mësoi shumë për shqiptarët; Daniarit bashkudhëtarit të rrugëtimeve të tij; Betimit nga Kristianstadi tash me banim në Tiranë; Alisa Velajt poetes vlonjate; Per Helge për fotot dhe Astridit – bashkëshortes.

Libri vazhdon me parathënien. Këtu, Nydahl shpjegon arsyen e shkrimit të veprës dhe të interesimit të tij për shqiptarët. Interesimi im për Shqipërinë e Kosovën- thotë Nydahl, ishte i gjerë dhe i thellë. Ishte në te vërtetë një interesim kulturor me një përqendrim të theksuar në historinë e shqiptarëve dhe politikën e asaj kohe të shtetit të tyre. Nydahl, prej kohesh ka shfaqur interesime për kombet e popujt e vegjël, siç qe rasti me izraelitët. Duke shfletuar historinë e vuajtjeve izraelite, ai zbulon se vetëm në Shqipëri ata patën një mbrojtje të veçantë gjatë periudhës naziste. Për ta përgjithësuar miqësinë shqiptaro- izraelite të asaj kohe, Nydahl merr në shërbim thënien tonë të moçme “Miku është hije e zotit në tokë”. Me të njëjtin aforizëm shpjegon bukur edhe miqësinë e Fatos Arapit me poetin suedez Per Helge. Në parathënie shpjegon gjithashtu se në vitet 70-të Nydahl kishte vizituar Shqipërinë komuniste disa herë. Shqipëria në këtë kohë, (në atë kohë ishim të rinj dhe naiv-thotë Nydahl) ishte alternativë e vetme, përballë bllokut komunist të udhëhequr nga Moska. Ne fotot e udhëheqësve të kohës (shkruan Nydahl) dallonim ndryshimet që shfaqtefigura e Titos me uniformë gjenerali dhe figura e Enver Hoxhës me kostume intelektuali. Për herë të fundit Nydahl e viziton Shqipërinë në verën e vitit 1978. Hija, në këtë rast jo e zotit por hija e rëndë e diktaturës shqiptare pushon në veprën e Nydahlit- siç e thotë edhe vet autori. Hija e rëndë e diktaturës kishte vyshkur gjithçka në botën shqiptare, rrjedhimisht edhe interesimin politik të Nydahlit të ri për Shqipërinë. Ishte koha kur mbaronte edhe stina e “vëllazërisë” me Kinën. Zbehja kishte shlyer kontratën e interesimit politik të Nydahlit për Partinë e Punëspor kishte qartësuar mirë kontratën e bashkëpunimit jetëgjatë me letërsinë e kulturën shqiptare.

Struktura e veprës “Pasardhësit e Skënderbeut”

Për të shkruar këtë vepër pata dy burime inspirurese- thotë Nydahl. Dy burimet lidheshin me sakrificën që bënë shqiptarët e Shqipërisë për Lirinë e cenuar ashpër nga diktatura e Hoxhës me shokë dhe sakrificën e shqiptarëve të Kosovës për lirinë e mohuar nga Tito e Millosheviq.

Katër njësi strukturore përbëjnë ndarjen e veprës. Një album i vogël me foto të shkrepura në kohë të ndryshme e kompleton botimin edhe me komponentin vizual. Vepra ka 200 faqe.

Pjesa e parë

Pjesa e parë (1981 – 2007) fillon me përshkrimine revoltës studentore të Prishtinës në vitin 1981, si ngjarje vendimtare e historisë së Kosovës. Në këtë pjesë rilexojmëtekstete Nydahlit të publikuara në vitet 2001 -2007 në gazetën e përditshme “Tempus” të themeluar nga redaktori i sektorit të jashtëm në “Sydsvenska” . Në këtë gazetë Nydahl ka botuar të gjitha shkrimet për Kosovën dhe Shqipërinë në atë kohë. Nga shtatë shkrimet, dy kanë për tematikë Shqipërinë kurse pesë tjera trajtojnë problemet e Kosovës. Në shkrimin “Lëreni Kosovën të bëhet e pavarur” potencon rolin e skandinavëve në prezantimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Fillon me administratorin danez SØren Jessen Petersen; vazhdon me shefin e Policisë Ndërkombëtare në Kosovë, danezin Kai Vitrup; me norvegjezin Kai Eide (ishte ambasador i Norvegjisë në Nato-Bruksel) që përpunonte vendimet e Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe finlandezin Martti Ahtisaari si kryenegociator për statutin final të Kosovës. Sipas Nydahlit, ishin skandinavët ata që kishin drejtësinë në zemër e fuqinë në dorë për të përcaktuar fatin e Kosovës në shekullin 21. Në të gjitha shkrimet e pjesës së parë heton njohuritë e përpikta që kishte Nydahl për situatën politike, shoqërore e historike të Kosovës në atë kohë. Ndërkaq diskursin shkrimor gazetaresk të kësaj ndarjeje e pasuronme refleksionet personale për vlerat e letërsisë së Kadaresë dhe kontributin politik e filozofik të Ibrahim Rugovës.

Në vazhdim të kësaj pjese shfletojmë një album të vogël fotografish. Fotot e shkrepura fiksojnë kohë e hapësira të ndryshme në Shqipëri, Kalabri e Suedi. Në njërën nga ato duket vet Thomas Nydal duke folur në demonstratën e njohur të Malmös në mbështetje të lirisë së Kosovës në vitin 1989.

Pjesa e dytë1999 – 2019

Për takimine parë me refugjatë shqiptarë të ardhur nga Kosova në Suedi në vitin 1999, shkruan në pjesën e dytë të kësaj vepre. Për habinë e këndshme të autorit, kontaktet me refugjatët shqiptarë në Markaryd të Suedisë ishin shumë të lehta,ndonëse sytë e shpirtrat e tyre shprehnin halle të rënda. Nydahl fascinohet me asnjanësinë e shqiptarëve në raport me përkatësitë fetare të tyre. Lidhjae zbehtë e tyre me fenë (në kuptimin e një lidhjeje jo fanatike, jo ekstreme) ngjasonte me lidhjen edhe më të zbehtë të vet Nydahlit me krishterimin. Unë e di se shumica e shqiptarëve e konsideronin religjionin si një çështje të panevojshme për t´u diskutuar- thotë autori. Shqipëria dhe Kosova, pa pohuar edhe rolin e Portugalisë këtu, ishin dy vendet që ndikuan shumë në formimin e qëndrimit të Nydahlit për kulturën e veçantëtë Europës Juglindore. Madje, ai vet thotë se sa herë e kam shprehur këtë qëndrim, jam kërcënuar nga qarqet tjera dhe jam etiketuar me pa të drejtë si aleat i mafias shqiptare.

Në këtë pjesë, çështjen shqiptare e analizon edhe nga perspektiva e ngjarjeve madhore historike, si bie fjala Lidhja e Prizrenit apo edhe nga botëkuptimet e autorëve tjerë të huaj që kanë shkruar për shqiptarët. Për komunitetin shqiptar në Suedi flet me shumë realizëm. Ai beson se shqiptarët janë  mirë të integruar, se janë komunitet dy e tre gjuhësor dhe se mbajtjen e vetës në Suedi e sigurojnë me punën e dijen e vet. Të rëndësishme në këtë pjesë libri janë edhe këto prezantime: përromanin “Kriget” (Lufta) të djalit shqiptar të lindur në Suedi Durim Bekteshit; për veprën e Nusret Pllanës të promovuar në Suedi (mbi terrorin e gjenocidin serb në Kosovë); për literaturën suedeze e norvegjeze mbi komunizmin në Shqipëri; për albanologun suedez Ullmar Qvick; për poezinë e poetit me fat tragjik Faslli Haliti (poezinë “Si atëherë”); për antologjinë “Tre poetë shqiptarë në suedisht”; për letërsinë e Ismail Kadaresë, Alisa velajt dhe të Riza Sheqirit. Poezinë e Sheqirit të përkthyer në suedisht, Nydahl e ka lexuar dhe e ka shoqëruar me disa vështrime kritike.

Pjesa e tretë, 1970 e më tutje

Pjesa e tretë përmban 39 tekste mbi çështje të ndryshmetë analizuara nga një perspektivë suedeze dhe shqiptare. Janë tekste të shkurtra me konotacione të gjera kuptimore, të shkruara nën ndikimin e bukurive që pa në kohën kur vizitonte Shqipërinë. Pjesa tjetër është e shkruar nën ndikimin e anomalivetë vendit. Ashtu të shkurtra, ato janë plot emocion, shpesh të mbushura me gjallëri e më rrallë të stisura nga nervat. Ato kanë bukurinë e të papriturës, fatkeqësinë e të ngjarës, humorin e shëndetshëm e sarkazmin e hidhur. Në pjesëzën 27 shtron pyetjen: a mund t´ju dërgoje miqve shqiptarë, fjala vjen disqe të Beatles-ve në kohën e Partisë e të shokut Enver Hoxha? Po, dikush provoi- shkruan Nydahl. Kutia e disqeve vajtitek marrësi por, jo edhe disqet!

Pjesëzat e Nydahlit, të para herë me sy suedez e herë me sy shqiptar, lexohen me endje, gati si proza poetike dhe të bëjnë të qeshësh me zemër e të qash me lot. Sepse i tillë ishte realiteti. Atëqë Thomas Nydahl e pa tek shqiptarët, e përjetoi dhe e përjetësoi në veprën e tij.

Pjesa e katër, Appendix

Pjesa e katër ka dy appendixa (shtesa) që treten lehtas në përmbajtje në dy forma.Appendixi i parë është një shkrim në anglisht i albanologut Ullmar Qvick për një vepër historike të shkruar në shqip. Është fjala për veprën “Kryqtari i fundit” të ambasadorit shqiptar në Suedi Virgjil Kule. “Kryqtari i fundit” është një botim signum i paraqitjes ndryshe të jetës e veprës së krye heroit tonë Gjergj Kastrioti. Appendixi i dytë është një lloj reminishencepër gjysmë shekullin e kaluar me shkrime e botime të autorit Nydahl. Në këtë auto reminishencë lexuesit shohin Thomasin e ri, plot entuziazëm, interesimet e tij të majta politike, kontaktet me autoritet e kohës (Hägglund, Pettersson, Myrdal, Lars-Åke Augustssons) që dinine shkruanin për Shqipërinë. Këtu kujton edhe kohën kur ishte kryetar i shoqatës Suedeze-Shqiptare dhe kur shoqëronte delegimet nordike në Shqipëri. Appendixi i fundit vije edhe si katarsis shpirtëror për autorin, duke kujtuar idolatrinë revolucionare të një kohe. Atë idolatriqë ishte aktive dikur por, inekzistente sot. Ndërgjegjja ime- thotë Nydahl, me bëri që të shkruajë për shumë vite në shtyp për atë që po ndodhte në Kosovë.Ky libër edhe mund të konsiderohet si një përmbledhje e asaj pune fisnike, ndonëse jo të gjitha shkrimet e tij përfshihen këtu. 

Titulli i veprës “Pasardhësit e Skënderbeut” është shumë i qëlluar. Ndjesia e suedezit Nydahl për përkatësinë tonë gjenetike me Skënderbeun, na nderon. Është jo vetëm titull por, edhe besim e vlerësim suprem. Është prekje në neuronin e kuintesencës sonë europiane. Pasardhës të Skënderbeut ishim, jemi e do të mbetemi përgjithmonë. Nydahl, e dinte këtë, e konfirmoi edhe me vepër.

Vepra e Thomas Nydahl-it “Skanderbegs ättlingar” është një krestomaci për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Suedi.

Helsingborg, 10 qershor 2021     

Qerim Kryeziu