Poezia nuk mësohet, ajo vjen si dhunti dhe si bekim

215

Fjala Poezi shëmbëllen qartësinë, emocionin, përmbajtjen e lidhur mirë, formën e latuar bukur. Fjala Poet përgjithëson këto shëmbëllesa dhe të kujton njëkohësisht prototipin e krijuesit Shkrelian që vdes për secilin varg, për secilën fjalë. Dhe të bënë të ndjesh përbrenda simpati për atë që di të mbledh shprehjet më të bukura për t´i thënë në mënyrën më të mirë. Në të njëjtën kohë, fjala Poet vishet edhe me kuptime abstrakte. Është fjalë aq e fuqishme sa që nuk toleron dot një antonim. Në qoftë se do të mund t´ia  pandehnim antonimin, atëherë nuk do të mund të flisnim për Poetin. Poezinë nuk ta mëson askush, asnjë teori apo shkollë. Sado që në rrjedha kohore kanë ekzistuar teori e shkolla emancipimi për poetët e poezinë. Jo, poezia nuk mësohet! “Poezia është dhunti e Perëndisë dhe vjen nga mëshira e tij”-thotë Fahredin Shehu në emisionin kulturor të Televizionit AlbSe. 
https://www.youtube.com/watch?v=ge5-xOWoKbk

Krijimtaria e poetit Fahredin Shehu

Fahredin Shehu është krijues i ri, me bindjen top se, Art bënë vetëm atëherë kur në shpirt e zemër, Arti të troket si dhunti dhe si bekim. Besimi i tij tashmë i kristalizuar, e bënë atë të shprehet: “unë krijoj, nuk punoj”. Për shkak të këtij besimi ai ka përgatitur me kohë shpirtin e vet për të pritur trokitjet në kuptimin e dhuntive krijuese. Dhuntitë e pleksura me dashurinë e zemrës, të veshura me bukurinë e frymëzimit dhe të mbathura me dituritë e fushave shkencore. Deri tash ka shkruar dhe ka botuar këto vepra: “Nun”-përmbledhje me poezi mistike 1996, “Shumësi e padukshme”-prozë poetike 2000, “Nektarina”-roman epik transcendental 2004,”Elemental 99”- tregime të shkurtra poetike 2006, “Kun”- përmbledhje poetike transcendentale 2007, “Dismantle of Hete”-libër elektronik (anglisht) 2009 , “Crystaline Echoes”-poezi, Portugali 2011, “Pleroma´s dew”-poemë, SHBA 2012, “Makadami i Smagradtë”, Rahovec 2012, “Manat”-roman, Maqedoni 2012, “Balkans and Islam” në Cambridge Scholars Publisher´s contributor 2012, “Hojet”-roman 2013, “Nalivpero”- poezi, Arhipelag, Beograd 2013, “Malestrom” The Four Scrolls of an Illyrian Sage-poemë New Jersey 2014, “Bonds”-poezi të zgjedhura, New Jersey 2016, “Elisir”-poezi, Romë Itali 2017, “Neon Child”-poezi, New Jersey 2018,  “Këtutania”, 2019,  në botim ka veprën më e re me titull “Ormuz” që do të dal në Amerikë. F. Shehu ka bërë shumë punime shkencore për “Institute for Balkan Studies”- Teheran, dhe për revistën shkencore “Avicenna” në Prishtinë.

Shehu ishte pjesëmarrës në shumë ekspozita, takime, debate, konferenca e festivaleve ndërkombëtare. Fahredin Shehu është botuar në pesëdhjetë antologji botërore të poezisë si bie fjala në : “The World Poets Yearbook- Kinë 2009, “Poetas del Mundo”- Santiaogo de Chile, “ Blue Max Revisten”- Dublin Irlandë, “Tribune de Geneve”-Zvicër, “Check Point Poetry”-Itali, “Anthology, Alquimia dela Terra”- Spanjë, “ Antologjia, Alquimia dela  Sal”-Spanjë, “ Ann Arbour Revieë”- Michigan SHBA,” Coldnnon Lityerary Revisten”-Indi, “ Healnig World Anthology”- New Jersey SHBA, “Hazara”-Norvegji dhe në “Axlepin Publishing Anthology”- Filipine. 

Ka përgatitur antologjinë “World Peace”- SHBA, përmbledhjen“Sofra Rome”-poezi rome si dhe “Antologjinë e Poezisë Bashkëkohore Kosovare” në gjuhën turke.

Shehu ka përkthyer në shqip poezi e prozë të Fernando Arrabal, Knut Odegard, William S. Peters, Amir Or, Hava Pinhas Cohen, Lee Kuen Shih, Filip David, Vida Ognjenoviq, Gojko Bozhoviq.

Poezia e Shehut është përkthyer dhe botuar në të gjitha vendet e Ballkanit, në Europë, Amerikë e kontinente tjera. Deri tash është lexuar nga shumë lexues në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, polonisht, spanjisht, hebraisht, rumanisht, serbisht, kroatisht, boshnjakisht, maqedonisht, turqisht, romanisht, persisht, mongolisht, kinezisht, kinezisht/mandarin, gjuhë siciliane, friziane, malteze, bengali dhe në bhahasa.

Librat e Fahredin Shehut i gjen në Bibliotekën e Aleksandrisë në Egjipt, në British Library të Mbretërisë së Bashkuar, në Staatsbibliotheket e Munihit në Gjermani, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, në Bibliotekën  Nacionale të Zagrebit në Kroaci, në Bibliotekën Nacionale të Beogradit në Serbi e vende tjera.

Shehu është anëtar i Asociacioneve Kombëtare e Botërore të Poezisë, i PEN Qendrës së Kosovës, anëtar i Këshillit të Librit dhe Botimeve të MKR dhe Sporteve të Kosovës si dhe laureat i shumë çmimeve si bie fjala: Laureat i medaljes së artë për poezi si urë lidhëse mes popujve “Axlepinn Publishiung në Filipine, laureat i çmimit “Agim Ramadani” në Stubëll 2004, i çmimit Poet i Vitit nga revista turke “Imza” 2014, i çmimit “Naaiji Naaman” në Liban 2016, i çmimit “Veilero” në Itali 2016, i çmimit “Aleksandri i Madh “ për ekselencë të karrierës letrare në Abruzo të Italisë dhe është Doctor Honoris Causa në Universiteum Academy në Lugano, Lifetime Academic , Universum Academy Lugano.

Fahredin Sheu është themelues dhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë që mbahet në Rahovec. Në nëntor të 2020-es realizoi me sukses edicionin e gjashtë të këtij Festivali, kësaj radhe  në formë virtuale për shkak të pandemisë që pllakosi gjithë botën.

Nën hijene krijimtarisë së Fahredin Shehut

Shehu, të magjeps me lirizmin e poezive, me poetizmin e prozave, me bukuritë kaligrafike e me vështrimet estetike për artin pamor. Shehu është ekspert i letërsisë transcendentale, hulumtues i pasionuar i trashëgimisë shpirtërore botërore dhe i Estetikës Sakrale.  Nën hijen e këtij korpusi krijues ndjehesh mirë, siç ndjehet ngrohtë njeriu nën rrezet e diellit yllor. Kur këtij korpusi ia shtojmë edhe tiparet liberale ekstreme të Shehut si njeri, atëherë e spikasim personalitetin mjaftë të veçantë të këtij krijuesi me formim akademik, me fuqi shprehëse letrare e me vlera filozofike e humane.

Përmbledhja e tij poetike “Palankin” hapet me thënien  “Dituria nuk ka tjetër armik pos paditurisë”. Thënia mund të akceptohet si një sugjerim dashamirës por edhe në kuptimin e një alarmi mbi gjendjen në të cilën ekzistojmë. Brenda antonimit dituri-padituri, ai hedh  përmbajtjen poetike duke e formuluar si tërësi simbolike numerologjie. Përmbledhja, (si e tillë e veçantë në letërsinë tonë) është tërësi konceptuale mbi relacionin e Diturisë-Njohjes-Shkencës dhe Artit. Zë fundamental në vepër është Dashuria si fenomen i pashpjegueshëm. Libri ka nëntë kapituj, secili kapitull ka nëntë poezi dhe secila poezi ka nëntë vargje. Pra, nënta si nëntëkëndësh, si numër dhe si simbolikë. Simbolika përmban një sekret, e sekreti zbulohet lehtë kur e kujton procesin e jetës së fetusit që rri në mitrën e nënës për nëntë muaj. Kjo lloj vepre (e thotë edhe vet autori) është pioniere në letërsinë tonë dhe si e tillë vepra e parë teurgjike në shqip. 

Fahredin Shehu shkruan letërsi të veçantë,nuk ndjehet pjesë e ndonjë tradite letrare, përpiqet të bëjë vet traditë, duke shtruar ledhet e një matriksi të ri tipologjik letrar. Në poezitë e Shehut hetohen impulset spirituale që përkojnë me leximet e tij teologjike, bulëzat transcendentale që përkojnë me ndikimet filozofike e mistike të ardhura nga përvoja e hulumtimeve të tij në rrafshet e trashëgimisë kulturore botërore. Temat obsesive si: Jeta, Vdekja e Pasvdekja marrin përgjigje poetike e filozofike në krijimtarinë e tij.Jeta është proces, fenomen ekstra ordinar- ajo që ka domethënie dhe që është e mbushur me vlera. Vdekja nuk është proces, ajo ndodh, është një çast i vetëm nga e cila as nuk brengoset as frikësohet. Ndërkohë është Dashuria ajo që ka domethënie në veprën e tij e në jetën e tij. Me Dashurinë si metodë, si urdhër e si fe, ai zbulon gjerat, njeh fenomenet, do të gjitha krijesat e zotit dhe rri i qetë pranë tij. Kur dyzetmijë nervat e zemrës që rrinë pranë saj (dikur dukej mistike kjo, sot është vërtetuar ekzistenca e këtyre nervave që veprojnë në mënyrë autonome) komunikojnë bukur me nervat e trurit, atëherë Dashuria lulëzon të gjithë vektorët e vet. Mbi këto kategori ekzistenciale ai kthen vështrimin poetik e filozofik në veprën “Këtutania”. Fahredini është i ri në moshë por çuditërisht i moshuar, i pjekur, empirik dhe i paskajshëm në vepra. Si personalitet Shehu është rebel , në formatin e refuzimit të përvojave jo kreative, jo estetike. Vet shkrimtaria e tij është rebele, në kuptimin novator, afirmues dhe në kulmin e revoltimit intelektual është arsyeja ajo që fiton mbi hidhërimin e tij. Rahovecin e do shumë, e konsideron si një amfiteatër të rrethuar me vreshta, që s´i ofrohet për nga bukuria as vet Toskana. Rahoveci nuk i lëshon, as i fal as i shet bijtë e vet. Shehu nuk ndjehet i penguar nga periferia, përkundrazi ndjehet i frymëzuar nga qetësia, prehja që i falë vendlindja.

Te Fahredin Shehu, më shumë se të autorët tjerë të rinj njeriu lexon për qelizën, atomin, molekulën, ujin (ujin e do shumë) , diellin. Aq sa lë përshtypjen tek lexuesi se nuk është artistikja që ve në lëvizje talentin e tij por, shkenca- Meta-Poetika që e ndez, e shkrep frymëzimin e tij.  Në gjithë krijimtarinë letrare të Fahredin Shehut nuk has motive sociale, historike, dedikuese. “Nuk shkruaj për teze, halla, djepe, personalitete” -thotë Shehu për Televizionin AlbSe. Të Shehu has dendur tematikë shpirtërore, morale, etikë që lidhet me drejtësinë njerëzore. Ky autor kërkon që letërsia të ketë shumë Frymëzim, Dituri dhe Njohje. Pa këto elemente do të jetë e varfër poezia e sotme, mendon vet poeti.  “Neve na mungon vokabulari tokësor për çështje qiellore” është thënie e Fahredin Shehut e pranuar dhe e evidentuar në librin citateve botërore. Thënia dëshmon në të vërtetë mungesën e nocioneve,zbrazësitë jo të vogla në disa lëmi shkencore.

Një aktivitet ndërkombëtar që do vëmendje e që lidhet direkt me angazhimin personal kulturor të Fahredin Shehut në Kosovë, është edhe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec. Themelues dhe drejtor i këtij Festivali është Fahredini. Deri më tash realizoi gjashtë Festivale. Për vlerat e kësaj ngjarjeje poetike ndërkombëtare duhet shkrim i posaçëm. Këtu dua vetëm të përshëndes themeluesin dhe të vlerësojë maksimalisht punën e tij në internacionalizimin e poezisë sonë, përfaqësimin e shkëlqyeshëm të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare dhe prezantimit dinjitar të letërsisë botërore në Kosovë. Në kohën kur Kosova, pa të drejt mbahet e izoluar nga bota.

Fahredin Shehu shkruan për të gjithë. Nëse do të veçoja receptorët e krijimtarisë së tij, atëherë është kategoria e lexuesve që mendojnë shumë, ata që përfitojnë prej poezisësë tij. Ndonëse Shehu sot është autori i rrallë shqiptar që përkthehet shumë kudo në botë (edhe në Kinë, Rusi e Serbi) ai megjithatë, nuk është aq sa e meriton i pranishëm në libra e lektyra shkollore tek ne. E vërtetë, por e çuditshme! Mbase, dikujt i duhet të jetë shenjtor që të pranohete të përfaqësohet.

Për mua si gazetar ishte e këndshme t´i shtroja pyetje. Edhe më e këndshme t´i dëgjoja përgjigjen!

Edhe një e shtune kulturore e paharruar për mua dhe stafin e Televizionit AlbSe.

Qerim Kryeziu