PROKURORIA JEP DETAJE PËR RASTIN ‘PASTIMI’ NË RTK

158

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar opinionin për rastin e personit B.SH i cili kishte përfituar para nga RTK përmes kompanisë ‘Pastimi’.

Në këtë njoftim, Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të lartcekurit është ngritur kallëzim penal nga Policia e Kosovës më 28 qershor të vitit 2013, përcjell Demokracia.com

Dhe më 2014 është ngritur aktakuzë kundër këtij personi për veprat penale si ‘Përvetësim në detyrë’ dhe ‘Mashtrim në detyrë’.

Lidhur me këtë çështje personit në fjale iu është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit ‘Land Rover’.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prishtinë, 8 tetor 2021– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e një punëtori të RTK-së, i cili kishte përfituar të holla përmes kompanisë “Pastimi”, ashtu që, ju bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28.06.2013, ka pranuar kallëzim penal nga policia kundër personit me inicialet B.Sh. Lidhur me këtë çështje penale, prokurorja e rastit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve më 04.07.2013 dhe pas ndërmar​rjes së një mori veprimesh nga ana e saj, më 11.08.2014, ka ngritur aktakuzë kundër personit të lartcekur, në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 të KPK-së dhe “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 426 të KPK-së.

Në këtë çështje penale, të lartcekurit i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.

Prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë./Demokracia.com/

Kujtojmë se rasti ka të bëjë me personin i cili qëllimisht bëri gabimin ku në vend të KRU “Pastrimi”, Radio Televizioni i Kosovës do t’i paguaj për rreth 5 vjet, mbi 372 mijë euro kompanisë “Pastimi”.

Vlen të theksohet se rasti në polici është denoncuar nga Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së në atë kohë.