Rexhep Qosja: Dekorimi i urrejtësit racist

65

Akademik Rexhep Qosja përmes një  statusi në  Facebook ka reaguar ndaj fjalimit të poetit serb Gojko Gjogo.

Më 27 qershor të këtij viti në Graçanicë, me rastin e dhënies së Çmimit “Kryqi i artë i knjaz Llazarit”, që jepet çdo vit në përkujtim të Vidovdanit – të disfatës serbe në Kosovë në vitin 1389, ai kishte mbajtur një  fjalim racist, shovinist dhe kundërshqiptar.

Postimi i plotë  i Qosjes:

“Në një moment historik, kur kral Petri, më 1913, në Deçan, e ndezi atë qiriun e madh të dylltë, të cilin, siç na mëson kujtimorja, mbretëresha Milica e la për t’iu dhuruar atij që do të hakmerret për Kosovën, serbët naivisht besuan se robërisë shekullore i erdhi fundi, se u plotësua fati i ynë dhe se rilindi mbretëria e car Dushanit. Të verbuar nga shkëlqimi i armëve tona, ata nuk kuptuan se shqiptarët e islamizuar, të rehatuar në trojet serbe, janë turq më të tmerrshëm se turqit. Duke mos pasur në çka të mbështeten, ata nuk u zhvilluan lartësueshëm, por u zgjeruan rrafshueshëm, të bindur se zgjerimi i tillë, i bërë me bindjen se të kujt janë dhentë e tij është edhe bjeshka, u jep të drejtë që të përvetësojnë tokat tona. Harruan mendjelehtë se ky “ligj natyror” nuk zbatohet në shoqërinë e qytetëruar.

Kështu një popull pakëz i njohur, pjesëtarët e të cilit kishin bisht maceje ose qeni, dhie ose kali, dhe s’e dallonin sheqerin prej borës, siç i përshkruanin dikur hulumtuesit dhe shkencëtarët gjermanë, mbasi u dëbuan turqit, “doli prej pyllit” dhe u paraqit në skenën politike botërore. Dhe, fuqitë e mëdha evropiane, duke pasur parasysh punët dhe interesat e veta, këtij populli “bishtak” i ndihmuan që të krijojë shtetin e vet.

Por, shqiptarët nuk ishin të kënaqur me këtë shtet, prandaj edhe nuk hoqën dorë prej programit kombëtar, prej projektit të quajtur “Shqipëria e Madhe”, që përfshin edhe një pjesë të madhe të hapësirës etnike serbe -gjithë vatrën tonë kosovare.

Në këtë mënyrë ky rrëfim i njohur historik u dramatizua. Dhe u ndez zjarri mes dy popujve, zjarr që, kur më i vogël e kur më i madh, po qitte flakë përgjatë një shekulli…

Para dy dhjetëvjetëshave ky zjarr mori flakë aq të madhe saqë ne u rrezikuam të digjemi në të.

Gjysma e botës iu turr Serbisë dhe në tokën tonë të shenjtë me luftë u krijua edhe një gjysmështet shqiptar..

Të bijtë e atyre shqiptarëve të vjetër, që s’kanë ardhur prej pyllit ballkanik, por prej parapyllit evropian, nuk janë të pajisur ndoshta me bisht shtaze, por me disa veçanti shtazarake…
Këta djegin e rrënojnë kisha e manastire, gropojnë zemra e u nxjerrin sy njerëzve të gjallë. Këta jo njerëz, kufomavjedhës, i prishin varret dhe vatrat tona, i asgjësojnë rrënjët tona me qëllim që të shuajnë dhe kujtesën tonë. Këtë strategji kombëtare raciste, shqiptarët, me pajtimin e mentorëve të tyre, pa kurrfarë pengesash po e realizojnë para syve të krejt botës.

Parashteti s’do të bëhet shtet. Serbia mund të jetë e shkelur, por kurrë e mundur, thotë (thoshte) Gavrillo Principi…

Mua më lartëson Kryqi i artë i knjazit të lavdishëm, që ma dhuruat, kurse ju po përkuleni nën Kryqin e rëndë të Shpëtimtarit, në të cilin dushmanët duan t’u shqyejnë. Ju jeni vëllezërit e betimit, në ju qëndron mbretëria. Le t’ju ndihmojë i Madhi Zot!”

Ky tekst është fjalim i mbajtur në oborrin e Kishës së Graçanicës me rastin e dhënies së Çmimit “Kryqi i artë i knjaz Llazarit”, që jepet çdo vit në përkujtim të Vidovdanit – të disfatës serbe në Kosovë në vitin 1389.

Këto në të vërtetë janë disa fragmente të atij fjalimi që më 27 qershor të këtij viti i tha në oborrin e lulëzuar të Kishës mesjetare të Graçanicës, afër, shumë afër Prishtinës, poeti i shumëçmuar dhe shumë herë i dekoruar në Serbi, Gojko Gjogo.

Që e tha Gojko Gjogo këtë fjalim me përmbajtje nacionaliste, raciste, shoviniste kundërshqiptare, që e tregojnë fragmentet që po ua paraqes këtu lexuesve shqiptarë, nuk është gjë e çuditshme: fjalimet, shkrimet, deklaratat, veprat letrare, veprat historike, veprat publicistike me përmbajtje të tillë, me politikë e ideologji të tillë, raciste, shoviniste, fyese ndaj shqiptarëve kanë një traditë më tepër se 150 vjeçare në jetën e në kulturën serbe. E çuditshme është se këtë fjalim ai e tha në Graçanicë, në Kishën e lavdishme të Graçanicës! E çuditshme është që këtë fjalim e tha Gojko Gjogo në Graçanicë ku, krahas disa institucioneve shtetërore serbe të Serbisë, funksionojnë edhe disa institucione shtetërore të Kosovës!

Dhe, më tej, e çuditshme është se këtë fjalim Gojko Gjogo e mbajti më 27 qershor, dy ditë para tubimit të një numri të dukshëm serbësh te monumenti i Trimave serbë në Gazimestan dhe e mbajti si parafjalë të fjalëve politike, nacionaliste, që do të dëgjohen në atë tubim, me të cilin u shënua 630 vjetori i ngritjes serbe në nivelin e popullit qiellor pas disfatës së knjaz Llazarit në ballafaqimin luftarak me sulltan Muratin.
E shpreh çuditjen time pse fjalimi në fjalë u mbajt ku u mbajt dhe kur u mbajt dhe pse u mbajt jo pse me këtë çuditje do të shprehja kërkesën për ndalimin e atij fjalimi. Jo. Jo. Kam qenë, jam e do të jem gjithmonë kundër ndalimeve e kufizimeve të mendimit e të shprehje së lirë, qoftë edhe si ato të Gojko Gjokos në Graçanicë më 27.6.2019 dhe jo vetëm në Graçanicë, po edhe kudo tjetër, madje edhe në Qeverinë e Kosovës, pa qenë të ndëshkuara siç ndodhi në Qeverinë tonë ku për paraqitje çështë e vërteta të padrejta mospajtuese me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës u ndëshkuan me shkarkim prej kësaj qeverie dy ministra serbë!

Por, shpreha çuditjen time me atë fjalim për një arsye tjetër: për arsye se Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Kryesia e Kosovës, me gjithë numrin gati kinez, gati rus, gati indian a brazilian të këshilltarëve e informuesve të tjerë të tyre, si duket, s’morën vesh asgjë kur duhej për atë fjalim, nuk e lexuan kur duhej të lexohej megjithëse ai u botua në disa revista e gazeta serbe, megjithëse ai u pa e u lexua në disa ambasada në Prishtinë e shumë kund tjetër!

Dhe, e shpreha çuditjen time me atë fjalim që shpreh politikën dhe ideologjinë e djeshme e të sotme të Serbisë ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve, ndaj Shqipërisë pse institucionet shtetërore të Kosovës nuk e quajtën të nevojshme që t’i thonë kur duhej ndonjë këshilltari, shkrimtari, mercenari – akademik të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të ASHAK-ut të tyre a ndonjë mercenari kryetar nga ata tre kryetarët e ASHAK-ut që qe 25 vjet e përdorin si shtëpi private atë ASHAK të shkretë, që të shprehë mospajtimin e shtetit të Kosovës me përdorimin e Kishës së Graçanicës e të Komunës së Graçanicës si tribunë raciste, shoviniste dhe fyese ndaj Kombit shqiptar.

Por, por nuk kanë kohë për mospajtim të tillë as sundimtarët e as mercenarët e tyre. Janë të zënë me punë më të frytshme për veten e tyre e më të mjerueshme për vetë Kosovën!

Janë të zënë sundimtarët tanë dhe çerekakademikët e tyre të mercenarizuar me pajtimin që t’i dhurohen Malit të Zi disa mija hektarë tokë me rëndësi ekonomike e gjeostrategjike, por, por jo edhe me mospajtimin me sovranitetin shtetëror serb të komunës së Graçanicës e të Kishës së Graçanicës në shtetin e Kosovës!