Shqiptarizimi jashtë Shqiperisë!

171

(Nje shembull i shqiptarëve ne Belgjikë)

Qendra kulturore Vatra është referenca kulturore për komunitetin shqiptar të Belgjikës

Qendra kulturore Vatra është pjesë e shoqatës Albabel e themeluar në Belgjikë që në 2007-tën nga Ahmet Gjanaj.

Qendra kulturore Vatra ka si qëllim që të promovojë kulturën shqiptare si për pjesëtarët e komunitetit shqiptar ashtu dhe për belgët dhe komunitetet e tjera në Belgjikë.

Për të arritur këtë qëllim, Vatra organizon aktivitete të ndryshme si në lokalet e veta ashtu, në lokalet e komunës Molenbeek dhe në vende publike. Mund të veçojmë 4 përmasa të rëndësishme të Vatrës :

1. Shkolla Vatra : Organizimi i mësimit plotësues në gjuhën shqipe për fëmijtë shqiptarë nga 6 deri 17 vjeç ;
2. Grupi i valleve Vatra : Edukimi i adoleshtëve shqiptarë me vallet tradicionale të të gjitha trevave ;
3. Grupi i grave Vatra : emancipimi i grave shqiptare me aktivitete kulturore si dhe mësimin e gjuhës frëngjishte dhe integrimin në shoqërinë belge ;
4. Pjesmarrja dhe organizime të ndryshëm kulturore : koncertesh, shfaqjesh, mbledhjesh, konferencash, debatesh, manifestimesh, panairesh, promovim librash,…

Vatra bashkpunon me një sërë shoqatash shqiptare dhe belge dhe ka një partneritet me Rrjetin e bizneseve shqiptare në Beneluks që kontribuon gjithashtu në mbarëvajten e këtyre aktiviteteve.

Së fundmi, më 14 dhjetor, Qendra kulturore Vatra ka inauguruar lokalin e ri me prezencën e Kryetarës së Komunës Molenbeek, znj. Catherine Moureaux, Kryeministrin e Rajonit të Brukselit, z. Rudi Vervoort, Ministrja rajonale e Integrimit social, znj. Nawal Ben Hamou, Sekretarit të parë të Ambasadës së Kosovës, z. Fitor Murati si dhe të një numër të konsiderueshëm pjesëtarësh të komunitetit shqiptar në Belgjikë.

Pas këndimit të himnit të flamurit kombëtar, fjalimeve zyrtare të filluara nga presidenti i shoqatës njëherësh dhe nënkryetar i komunës Molenbeek, z. Ahmet Gjanaj, femijtë e shkollës shqipe, nën drejtimin e koreografës Vaile Shkodra njëherësh dhe koordinatorja e Qendrës Vatra dhe nën kujdesin e mësuesve të Shkollës shqipe Vatra, ekzekutuan valle të ndryshme ndër sytë e mahnitur të publikut.

Në fund të eventit, drejtuesit e Qendrës bashkë me titullarët e autoriteteve lokale dhe rajonale, prenë shiritin inaugurues duke uruar një llojllojshmëri dhe një denduri aktivitetesh në favor të komunitetit shqiptar!

Silvana Begaj