Shtatorja e ngritur në Suedi e Futbollistes Shqiptare

1062

Kosovare Asllani, që luan për klubin futbollistik Linköpings FC, është nderuar me një statujë në Suedi.

Sulmuesja, e cila mbron edhe ngjyrat e shtetit suedez, ka thënë se kjo është ndër rastet e parë që një femër futbolliste nderohet me një statujë në këtë shtet.

“WOW. Jam jashtëzakonisht shumë krenare të jem ndër femrat e para futbolliste që nderohet me një statujë në Suedi”, ka shkruar futbollistja shqiptare në rrjetet sociale.

“Me iniciativë të ‘Football Forevher’, e nisur nga Coca-Cola dhe nga Federata Suedeze e Futbollit, ne dëshirojmë të theksojmë rëndësinë e dukshmërisë në rritje për lojtare femra”, ka shkruar më tej Kosovarja.

Image

“Bashkë mund të krijojmë barazi gjinore në futbollin suedez. Bashkë shkruajmë historinë”, përmbylli postimin e saj Kosovare Asllani.

Veç Asllanit, statuja u janë ngritur edhe tri futbollisteve tjera, Caroline Seger, Hedvig Lindahl dhe Nilla Fischer.

Skulpturat prej çimentos, që janë mobile, do të dalin në turne, fillimisht brenda Suedisë, e më pas edhe në vende tjera ku kombëtarja suedeze, edhe ajo e meshkujve, do t’i zhvillojnë ndeshjet e Botërorit.

Në karrierën e saj, Kosovare Asllani ka luajtur për PSG-në dhe Manchester Cityn.

Më parë, Asllani pati thënë se “kur ishte gjashtë vjeçare, një familjar i saj i kishte thënë se futbolli nuk ishte për femra”.

Kjo deklaratë dhe mendime të tilla, pati thënë ajo, e kanë shtyrë drejt sukseseve në karrierë.

Kosovare Asllani ka lindur në Kristianstad të Suedisë. Babanë e ka nga Mitrovica, kurse nënën nga Gjakova. Familja e saj ka migruar në fillim të viteve ’90.