SINDROMI I GREVËS PREK DHE OVL E UÇK-SË, KËRKOJNË TAKIM URGJENT ME KURTIN

33

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar sot një takim urgjent me kryeministrinë e vendit, Albin Kurti lidhur me gjendjen e anëtarësisë së kësaj kategorie të luftës.

OVL e UÇK-së, ka bërë të ditur se në takimin e kryesisë është diskutuar edhe sa i përket çështjes së veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të luftës.

“U diskutua edhe injorimi që po ua bënë Qeveria e Kosovës kërkesave të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, qoftë për rritje të pensioneve të këtyre kategorive, qoftë për aktivitete të zyrave, qoftë për rehabilitim në banja, qoftë për shkak të problemeve teknike që kanë këto kategori e nuk mund të pajisen me vërtetime nga zyra për kategoritë e dala nga lufta etj, injorim ky që as nuk po diskutohet, për shkak të mos gatishmërisë së Kryeministrit Kurti për t’u takuar. Sa i përket kësaj, u vendos që të kërkohet edhe një takim urgjent me kryeministrin Kurti, e nëse nuk realizohet, do të shqyrtohen masa të tjera të reagimit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu kjo kryesi ka folur sërish për procesin gjyqësor në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.

“Kryesia e OVL UÇK-së konsideron se procesi gjyqësor në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe OVL të UÇK-së është i padrejtë dhe qëndron prapa qëndrimeve të dhëna vite më parë sa i përket pseudodrejtësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media.