Tribuna e Vetlandes “Toka e mëmëdheut në sytë e mërgatës dje dhe sot”

605

Më 16 nëntor 2019, u realizua shkëlqyeshëm tribuna e tretë më radhë e “Rrjetit të Gruas Aktive e Krijuese” dhe “Shoqatës Marie Shllaku” në Vetlanda të Suedisë. Ky rrjet krijues i grave shqiptare në Skandinavi  dhe kjo shoqatë  aktive me emrin aq simbolik Marie Shllaku kanë nxjerrë  e vazhdojnë të publikojnë vepra të mira, kanë realizuar dhe vazhdojnë  të realizojnë aktivitete të bukura. Mbase janë aktet e dikurshme hirplote të grave të famshme shqiptare që ndihmojnë edhe sot  (emri i Marie Shllakut -njërës prej tyre,  rri  bukur në titullin e shoqatës së gruas nga Vetlanda), apo janë vargjet e bukura poetike e punët e dobishme praktike të organizatores kryesore Zyrafete Kryeziu- Manaj që na kënaqin e na bëjnë krenarë kudo. Gjithë ata ligjërues që dje kontribuuan me kumtesa, gjithë ata bashkëkombës që dje nderuan me pjesëmarrje, shprehnin admirimin për organizatoret dhe merrnin me vete përshtypjet mbresëlënëse të takimit. Me përkujtimet e vlerave njerëzores te grave  shqiptare Marie Shllaku, Mysine Kokalari, Shotë Galica, Nënë Tereza… marrim nga madhështia e tyre. Orët fatmira që ndihmonin gjithmonë në besimin popullor shqiptar, do të sjellin fat e begati në realitetin e sotëm e të ardhshëm shqiptar.

Toka e mëmëdheut në vështrimet e referuesve mërgimtarë.

Tribunat e Vetlandës, ashtu të konceptuara e të realizuara, kanë filluar të dëshmojnë bindshëm traditën e  bukur organizative në mërgatë. Edhe vet titujt e tri tribunave të mbajtura deri më tash ishin domethënës. Kishin bukurinë simbolike, veshjen e hijshme metaforike e skajshmëritë elegante të  antitezës. Pagëzimet e tribunave lidhen me stilin e poezisë së Zyrafete Kryeziut-Manaj, e cila  i ka krijuar vet ato pagëzime. Ndërkaq përmbajtjet tematike, ishin të ndryshme dhe interesante. Ja rrjedha e tyre:

Zyrafete Kryeziu-Manaj së pari falënderoi në emër të organizatorit dhe pastaj paraqiti temën “Kontributi atdhetar domosdoshmëri e kohës dje dhe sot”. Poetja Kryeziu-Manaj edhe me mendimin eseistik e atë poetik, është për një  gatishmëri të përhershme përballë atdheut. Atdheu kur kërkoi kontributin e saj, ajo ia dhuroi, edhe duke vuajtur egërsinë  e burgut serb.

Qerim Raqi u paraqit me temën “Letërsia e burgut, art apo terapi shpirti”. Brenda letërsisë sonë ekziston edhe “letërsia e burgologjisë”- tha Raqi, duke përdorur këtë shprehje të Visar Zhitit, për të shpjeguar fatin e rëndë të krijuesve shqiptarë përballë armiqësisë sllave në Kosovë e përballë ashpërsisë diktatoriale në Shqipëri.

Bahtie Breznica ligjëroi temën “Roli i mërgatës oksigjen i domosdoshëm për atdheun”. Breznica shqyrtoi mërgimin- rolin që ka ky fenomen në jetën e atdheut, dhe e nxitur nga natyra e profesionit mjekësor që ushtron, shpjegoi bukur rolin e oksigjenit në biologjinë e trupit të njeriut duke e barazuar me vlerën e mërgatës si oksigjen për shëndetin e kombit në përgjithësi.

Rizah Sheqiri foli për lidhjet mes letërsisë që zhvillohet në atdhe dhe letërsisë në ekzil.

Zyrafete Loshaj paraqiti një temë interesante me titull “Faktorizimi i gjuhës shqipe në platforma shumë gjuhësore”. Duke përdorur platforma të ndryshme, arrijmë të faktorizojmë shqipen në Suedi, siç është rasti me disa filma pedagogjik që sot gjenden në faqet elektronike të shkollës suedeze.

Entela Tabaku recitoi një poezi të bukur dhe u prit me interesim. Shkodrania Tabaku shkruan një poezi moderne. Brenda poezisë së saj vëren shkëlqimin klasik të poezisë së Martin Camajt.

Tema e Silvana Begajt titullohej “Një atdhe ndryshe-Si duhet të frymojë Shqipëria?”Begaj u prit mirë nga publiku, meqë temën e kishte shtruar bukur dhe e kishte shkruar me stil. Si Noli dikur (“Në shumë gjuhë di të flas, kur ndjej dhembje vetëm në shqip bërtas”) e në formën a antitezave të tij të bukura, vinte përballë dy gjendje të Shqipërisë-të sotmes anormale si shoqëri dhe të dytës normale si Shqipëri e ëndërruar, e dëshiruar.

Zymer Kuqaj kujtoi në ligjëratën e tij “Demonstratat e vitit 1981 gurë themel i shtetësisë së Kosovës” demonstratat e 81-tës, në të cilat vet Kuqaj ishte organizator dhe i plagosur në atë kohë. Moderatorja Kryeziu kujtoi një detaj emocional të takimit të Kuqajt me nënën e tij pas plagosjes. Detaji shkaktoi emocione te Kuqaj dhe publiku në sallë.

Shqiptar Oseku lexoi një poezi dhe disa procesverbale të MUP-it serb që lidheshin me përndjekjen e atdhetarit të njohur gjakovar Kadri Kusarit.  Përmes vet procesverbaleve policore të kohës skicohej figura e këtij patrioti që nuk ishte i vetëm në Gjakovë. Oseku, sot është autoriteti letrar poetik e publicistik më i njohur i mërgatës sonë në Skandinavi e më gjerë.

Hazbi Ibrahimi në temën “Shkolla shqipe e mërgatës, një mundësi e mirë për ruajtjen e rrënjës”, potencoi rëndësinë e gjuhës amtare për nxënësit në mërgim dhe rolin që luan shqipja në ruajtën e rrënjëve tona shqiptare. 

Këta ishin referuesit dhe temat që referuan.

Pjesa artistike në Tribunën e Vetlandës

Tribuna filloi me himnin kombëtar shqiptar dhe himnin shtetëror të Kosovës. Një grup i nxënësve që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në Vetlanda  zbukuroi programin dhe kënaqi publikun me “Vallen e shotës “ dhe “Vallen kosovare”. Nxënësit drejtoheshin  nga mësuesja e gjuhës shqipe në këtë komunë Sanie Selmani.

Pastaj, dolën në skenë edhe anëtarët e Qendrës Kulturore Shqiptare “Okarina”  nga Landskrona nën drejtimin e profesor Bashkim Jasharit. Ariana Jashari (soliste  e shkollës së muzikës që premton shumë) këndoi këngët “ Hapi sytë e zezë” dhe “Poçari” kurse Fahrie Jashari këngët “Mos ma prek ti shka Drenicën” dhe “Këngë për Adem Jasharin”.                           

Moderatorja  Gala Kryeziu, solli para publikut imazhin patriotik e vlerën  poetike të poezisë së Jusuf Gërvallës me recitimin e vjershës  së tij  “Do të kthehem nënë”.

Përshëndetjet

Në këtë tribunë përshëndeten konsulli i Kosovës në Mbretërinë e Suedisë Fatmir Rrahmani

si dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike  Avni Zejnullahu.

Në emër të Qendrës kulturore të Kosovës në Suedi mori fjalë  Ismail Rugova kurse në emër të Unionit të Shoqatave Shqiptare në Suedi  Ahmet Bella. Mësuesja  e gjuhës shqipe në Greqi Lefteri Metkaj solli përshëndetjet e shqiptarëve të Çamërisë dhe u dhuroi libra organizatorëve të tribunës. Edhe mësuesja Nazlije Tahiri nga Gjermania falënderoi organizatorët dhe përshëndeti gjithë të pranishmit.

Televizioni AlbSe regjistroi gjithë veprimtarinë e tribunës.

U shtrua edhe një drekë e këndshme për të gjithë me ushqime të traditës kulinare shqiptare.   

Programin e tribunë së tretë në Vetlanda e drejtuan bashkëshortët Qerim e Gala Kryeziu.