Vlerat e WENIFF-it norvegjez dhe kontributi i regjisorit shqiptar

101

WENIFF është shkurtesë e titullit West Nordic Film Festival që sivjet mbushi shtatë vjet të ekzistencës. Festivali u ngjiz në vitin 2013 në Ålesund të Norvegjisë, vazhdon të mbahet për çdo vit dhe synon të mbetet log i përhershëm i prezantimeve kinematografike nga gjithë bota. Këto të dhëna mund të lexohen qartë në amzën e WENIFF-it nordik. Dhe për cilindo shkrim medial ky prezantim do të mjaftonte për t´ia zbuluar identitetin. Mirëpo mua me grishte një tjetër identitet. Ai i njeriut që shtroi ledhet e këtij Festivali. Dhe papritur, nga ndjesi e zakonshme e shkrimit për një ngjarje kulturore, ngre krye një ndjenjë e papërmbajtshme e krenarisë kur zbulon se një nga themeluesit e këtij Festivali është një djalë shqiptar. Është Besnik Zogaj ai që u shpjegoi shtatë vite më parë, prajshëm e kuptueshëm norvegjezëve dëshirën e tij. E regjisori shqiptar tashmë kishte bërë emër në televizionin publik shtetëror të Norvegjisë dhe mundësinë për të propozuar e realizuar gjëra më vlerë kulturore e kishte më se të lehtë. Dhe siç vënë vogëlushët, një mbi një katrorët shumëngjyrësh në legot e kështjellave të tyre, ashtu ftilloi dhe rendoi shqiptari Besnik Zogaj elementet e Festivalit ndërkombëtar WENIFF.

Dëshira e realizuar e regjisorit Besnik Zogaj

Festivali nisi punën në vitin 2013 në qytetin e bukur Ålesund. Bukurisë së qytetit, arkitekturës unike e gjallërisë kulturore të këtij vendi sikur i mungonte diçka- shpjegon regjisori prizrenas Besnik Zogaj. Dhe duke ndjerë thirrjet e brendshme të profesionit që s´me lenin të qetë dhe duke pasur përgatitjen e gatishmërinë profesionale, ju drejtova institucioneve kulturore të Ålesundit me idenë për një festival konkurrues që do të mirëpriste prodhuesit i filmit të shkurtër e dokumentar nga gjithë bota. Edhe ideja edhe kriteret mbi të cilat do të qëndronte festivali, fatmirësisht u pranuan- thotë Besnik Zogaj. Kështu më 2013 për herë të parë, pritëm filma e dokumentarë artistikë, aktorë e regjisorë me nam nga gjithë bota. Sot, më 2019 pas shtatë vitesh, kur i kujtoj përpjekjet e mia fillestare, habitem për të mirë. Sot kur përpiqem të kujtojë vlerat dhe krijimtarinë filmike që u prezantua brenda shatë vitesh në këtë Festival, ndjehem krenar. Sot kur filmat shqiptarë konkurrojnë e shpërblehen në këtë Festival, ndjehem vërtetë i ngazëllyer.

Disa nga veçoritë e Festivalit

Vet Festivali zgjatë tri ditë. Sivjet u paraqitën mbi 60 filma, fituan të drejtën e konkurrimit 18 prej tyre. Në javën e tij, përveç programit zyrtar ka edhe aktivitete tjera. Kështu bie fjala, të interesuarit mund të mësojnë si realizohet një film i shkurtër apo një dokumentar, në kuadër të WENIFF-labit; fëmijët gjejnë mirë vetën në WENIFF-kids; në WENIFF-conect, të tjerët u gëzohen takimeve të tyre, kurse në Work -shopin e Festivalit realizohen shumë gjëra të bukura. Në këtë Festival promovohen edhe prodhimet filmike shqiptare. Në edicionin e fundit filmi nga Kosova mori shpërblimin e parë të jurisë, e në të parafundit shpërblimin e parë për fotografi të mirë.

Regjisori Besnik Zogaj- krah i kulturës shqiptare në diasporë

Besniku është shkolluar për film e regji në Kosovë, ka zënë të punojë atje dhe ka vazhduar të realizojë në Norvegji. Në atdhe ka krijuar mbi 18 dokumentarë e filma të shkurtër artistik. Në Norvegji ka përfunduar dokumentarët “Një i huaj” dhe “E vërteta”. WENIFF është një punë tjetër më rëndësi që ky djalë shqiptar po e drejton me sukses. Djemtë e vajzat tona që po shkëlqejnë në fusha të ndryshme të kulturës, shkencës e bizneseve nëpër botë po krijojnë tiparet e shëndosha të diasporës shqiptare të veshur me ardhmëri të sigurt dhe të zbukuruar me dije e me kulturë. Besniku është një nga ata të shumtët që me punë bënë krenar vetën dhe gjithë mërgatën tonë në Skandinavi.

Qerim Kryeziu