Këngët lirike të Lola Gjokës në koncertin e Kopenhagës

591

Pas realizimit me sukses në Stockholm të Suedisë, koncerti me këngët lirike të
pianistes së hershme shqiptare Lola Aleksi Gjoka u mbajt më 7 maj edhe në
Kopenhagë të Danimarkës. Koncerti i rradhës, në të vërtetë u mbajt në sallën e
“Medborgerhus” të Herlevit që shtrihet në pjesën veriperëndimore të
Kopenhagës. Salla ishte e mbushur me adhurues, në mesin e tyre edhe miq
danezë e suedezë. Tue Magnussen, gazetar, historian, profesor i Universitetit të
Kopenhagës dhe mik e njohës i çështjes shqiptare ndjehej i nderuar dhe i
kënaqur me të gjitha interpretimet.
Të gjitha këngët lirike ishin aranzhime artistike të regjistruara që moti nga Lola
Gjoka kurse projekti voluminoz për realizimin e CD-eve dhe dy koncerteve, atij
në Stockholm dhe këtij në Kopenhagë është realizuar nga maestro i muzikës
artistike shqiptare Zhani Ciko.
Koncertet e shfaqura kësaj radhe në Skandinavi arritën të gjitha parametrat
prezantuese artistike edhe në saje të interpretimeve të jashtëzakonshme të
solistëve e instrumentisteve virtuozë. Shkëlqyen solistët Mariana Leka, Erinda Agolli
e Feride Istogu Gillesberg soprano, Gerald Murrja tenor, Antonio Zefi bariton dhe dy
instrumentistet me renome ndërkombëtare Ermira Lefort e Rudina Ciko piano.
Tenori danez Stig Fogh Andersen ka ndihmuar projektin e regjistrimit të albumit
muzikor që tashmë është në qarkullim.
Në koncertin shqiptar të Kopenhagës patëm privilegjin të kishim në mesin tonë edhe
vajzën e Lola Aleksit Gjokës – Juki Maria Rako që kishte ardhur enkas për koncertin
nga Milano e Italisë, së bashku me dy vajzat e veta, pra me dy mbesat e Lolës së
paharruar.

Solistët dhe instrumentistë e mbrëmjes artistike në Kopenhagë


Rudina Ciko, pianiste me karrierë ndërkombëtare. Repertori i
ekzekutimeve artistike tregon më së miri profesionalizmin e
virtuozes Rudina Ciko: Beethoven 5, Chopen 2 , Liszt 1,
Prokofiev 3, Rachmaninov Rapsodi, Tchaikovsky 1, Gorecki.
Koncerte dhe me vepra shqiptare. Ka performuar në Austri,
Gjermani, Finlandë, Francë, Belgjikë, Itali, Spanjë, Greqi, Siri,
Mali të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Kosovë.
Është profesore e pianos në Universitetin e Arteve në Tiranë.


Ermira Lefort, është pianiste e diplomuar, profesoreshë dhe
përcjellëse e të gjitha instrumenteve dhe operës në
Konservatorin e Lartë të Muzikës në Tiranë. Jep mësim për
piano në vende si Francë, Greqi, Irlandë dhe së fundmi në
Federatën e Konservatorëve të Muzikës në Gjenevë. Ermira ka
dhënë koncerte të muzikës klasike për diasporën shqiptare në
Zvicër, SHBA, Francë, Angli etj. Një CD e saj me pjesë në piano
me veprat e kompozitorëve shqiptarë u përzgjodh nga
Biblioteka e Kongresit Amerikan në Uashington. Ermira ishte
drejtore artistike dhe pianiste në CD-në me “22 Këngë
Liturgjike Shqiptare”.


Erinda Agolli, është soprano lirike e diplomuar në Universitetin
e Arteve në Tiranë. Është shfaqur në disa role në Teatrin
Kombëtar të Operas. Erinda ka interpretuar në Portugali,
Francë, Itali, vende të Ballkanit si dhe në shumë emisione
televizive. Erinda ka ndjekur ligjërata të klasës master te
Ermonela Jaho, soprano me famë botërore, si dhe tek mentorë
të tjerë të njohur shqiptarë.
Erinda Agolli interpretoi këto këngë: “Dola n’ penxhere”,
“Midis ballit”, “Mori drandofilja e vogël”.


Gerald Murrja, tenor. Mbaroi studimet në Universitetin e
Arteve për kanto në Tiranë. Është solist në Teatrin e Operas
dhe Baletit në Tirane si dhe pjesëmarrës në shumë programe
televizive. Ka realizuar shumë koncerte brenda dhe jashtë
Shqipërisë si në Gjermani, Itali, Francë, Greqi, Mali të zi,
Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe vende të tjera.
Gerald Murrja këndoj këngët: “Dy gisht përmbi vetull”, “O ku
po shkon moj gocë e vogël”, “Çelni ju moj lule”, “As aman o
syr’i zi”.


Antonio Zefi, është një bariton që ka marrë notat më të larta
gjatë shkollimit si dhe vendin e parë në një nga garat më të
rëndësishme kombëtare. Aktualisht po këndon në Teatrin
Kombëtar të Operas në Tiranë. Ai është i angazhuar në role
kërkuese. Ka kryer disa kurse master dhe ka marrë pjesë në
disa turne jashtë vendit.Antonio Zefi këndoi: “Seç këndon
bilbili”, “Mollë e kuqe top sheqere”, “Ishin dy kunata”, “Iptida moj lulja allit”


Sopranoja Feride Istogu Gillesberg, është shqiptare, e lindur në
Kosovë, e rritur në Gjermani që sot jeton në Danimarkë. Ajo ka
punuar për shumë vite në Institutin Schiller dhe në këtë
mënyrë është njohur me muzikën klasike duke provuar
gjithashtu pasionin e madh për të kënduarit bel-kanto.
Feride Istogu Gillesberg këndoi këngët: “Gem mbi gem” dhe
“Këngën e Rexhës”


Mariana Leka, konsiderohet artistja më e shquar e Operës
Shqiptare në 30 vitet e fundit. Soprano me talent natyror
përgatitur në Akademinë muzikore shqiptare dhe e
specializuar nga P. Washington. Përveçse në atdhe ka
performuar në Itali, Gjermani, Danimarkë, Spanjë etj. Mariana
është vlerësuar me disa çmime kombëtare. Jashtë Shqipërisëështë
vlerësuar me çmimin K.Ricciarelli në Itali dhe Ariet
italiane në Gjermani. Është pedagoge e kantos në Universitetin
e Arteve në Tiranë.
Mariana Leka këndoi këngët: “Tash sa dite e mot”, “As aman o moj lule”,
“Turtulleshë” dhe “Kroi i fshatit tonë”

Iniciatore e gjithë këtij projekti artistik ishte Feride Istogu Gillesberg nga Kopenhaga.

Artistët që kënduan këngët dhe instrumentistet që luajtën magjishëm në piano lanë
mbresa të thella tek spektatorët. Gjithë koncerti me këngë popullore të vjetra, të
përpunuara dikur për zë e piano nga pianistja e parë shqiptare Lola Aleksi Gjoka,
kënaqi publikun e etur për muzikë klasike e artistike shqiptare.
Lumë ata që i shijuan këngët dhe lumë ata që i panë artistët shqiptarë, secili më i
mirë së tjetri në interpretimet e tyre virtuoze!
Albumi me këngë të përpunuara e të regjistruara në CD-enë më të re tashmë është
në qarkullim.